Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është marrë vendim për ndalimin e plotë të ndezjes së zjarreve në të gjitha ambientet e hapura, përfshirë djegien e mbeturinave, pyjeve, fushave, livadheve, ndezjet për rekreacion apo piknik, si dhe përdorimin e fishekzjarreve.
Ky vendim vjen pas rritjes së temperaturave dhe rrezikut të lartë për shpërthim të zjarreve në gjithë vendin, duke vënë në rrezik mjedisin, pasurinë publike e private si dhe sigurinë e qytetarëve.
“Ndezja e zjarreve është vepër penale dhe shkelësit e këtij vendimi do të përballen menjëherë e pa dilemë me masat ndëshkuese që parasheh legjislacioni ynë”, ka paralajmëruar ministri Sveçla.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë vendimin, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr apo përhapjen e tij.
Në rast të vërejtjes së ndonjë zjarri apo rreziku për zjarr, qytetarët inkurajohen të kontaktojnë menjëherë numrin emergjent të zjarrfikësve 193 ose Policinë e Kosovës në 192.