Krenaria e Kaçanikut Prof. Dr. Lul Raka përfaqëson Kosovën në konferencë ndërkombëtare në Gjermani

Prof. Dr Lul Raka në konferencën ndërlombëtare në Gjermani

Profesori universitar krenaria e Kaçanikut dhe e Kosovës Prof. Dr – Lul Raka përfaqëson denjësisht Kosovën me UNDP në Hamburg të Gjermanisë në Konferencë ndërkombëtare,

Hamburg, Gjermani – Më 2 dhe 3 Qershor 2025, në Hamburg u mbajt Konferenca për Qëndrueshmëri – një nismë e përbashkët e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Qeverisë Federale Gjermane (BMZ), Fondacionit Michael Otto dhe Qytetit të Hamburgut. Konferenca mblodhi liderë globalë, politikëbërës, sipërmarrës dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar zgjidhje transformuese që përshpejtojnë progresin drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).

Në kuadër të programit të konferencës, liderë globalë të shëndetit publik dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, qeverive, shoqërisë civile, donatorëve, bankave zhvillimore multinacionale dhe sektorit privat, u mblodhën në tryezën e nivelit të lartë të titulluar“Zgjerimi dhe financimi për zbutjen e rezistencës antimikrobike (RAM)”. Ngjarja u organizua nga International Centre for Antimicrobial Resistance Solution (ICARS) me seli në Kopenhagë dhe ReAct Africa dhe kishte për qëllim mobilizimin e bashkëpunimit ndërsektorial.

Diskutimi u përqendrua në kërcënimin në rritje të RAM – një sfidë globale që prek shëndetin e njeriut dhe të kafshëve, bujqësinë dhe mjedisin – me ndikim të theksuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Për të prezantuar perspektivat shtetërore në këtë takim folën përfaqësuesit e Nigerisë dhe Kosovës. Shteti ynë u përfaqësua nga Prof. Lul Raka, udhëheqës i Programit Nacional për RAM në Kosovë.

Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat për të kthyer angazhimet politike ndërkombëtare – si Deklarata Politike e OKB-së për RAM e vitit 2024 dhe Marrëveshja Globale për Pandemitë – në ndërhyrje konkrete dhe me ndikim në nivel lokal. Një theks i veçantë iu dha integrimit të RAM-it në agjendat më të gjera të zhvillimit përmes qasjes “Një Shëndet”, që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, si dhe nevojës për të eksploruar mekanizma të ri dhe të qëndrueshëm të financimit.

Për të fuqizuar rezultatet e kësaj ngjarjeje, menjëherë pas përfundimit të saj u publikua Deklarata e Përbashkët e Hamburgut për RAM. E mbështetur nga 15 palë pjesëmarrëse – përfshirë Ministritë e Punëve të Jashtme të Francës dhe Danimarkës, Gavi – Aleanca për Vaksinat, Qendrën Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës, deklarata përfaqëson një angazhim të përbashkët për veprim global dhe bashkëpunues në luftën kundër rezistencës antimikrobike.

#kaçanik #gazetakaçaniku

Shpërndaje me miqtë