Këta janë personat e arrestuar si të dyshuar për vjedhje të organizuar

Policia e Kosovës ka parandaluar një tentativë për vjedhje të rëndë në orët e para të mëngjesit në Kaçanik, ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar se vepronin të organizuar.

Ngjarja ka ndodhur më 01 shkurt 2026, rreth orës 01:40, në rrugën “Ismail Raka”, pranë artarisë “Fera”, ku dy shtetas të Serbisë janë kapur në flagrancë duke tentuar të thyenin dritaren e lokalit. Ndërkohë, në një veturë me targa vendore janë ndaluar edhe tre persona të tjerë nga Podujeva, të dyshuar si pjesë e të njëjtit grup.

Në vendngjarje janë sekuestruar mjete të ndryshme pune, ndërsa Prokurori kujdestar ka vendosur që të pesë të dyshuarit të dërgohen në mbajtje për 48 orë. Rasti po trajtohet si “Vjedhje e rëndë në tentativë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje me miqtë