Barcelona mund të mbetet e detyruar të bëjë një ndryshim të madh për ndeshjen e tyre të dytë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve ndaj Interit.
Këto dy skuadra luajtën baras me rezultat 3-3 në ndeshjen e parë në Kataloni, teksa Hansi Flick vazhdoi ta mbante gjallë ëndrrën e tij për ta fituar tripletën.
Një fitore me rezultat 2-1 ndaj Valladolidit në kampionat do të thotë se skuadra e tij do t’i japë fund vikendit me katër pikë më shumë se Real Madridi para përballjes ndaj tyre më 11 maj.
Sidoqoftë, fokusi i menjëhershëm i Flick është udhëtimi në Itali dhe tekniku gjerman po përballet me një krizë lëndimesh në mbrojtje.
Robert Lewandowski pritet të jetë i gatshëm për të udhëtuar, por Flick me gjasë do ta lë atë në bankë, teksa Alejandro Balde do vazhdojë të mbetet jashtë.
Mungesa e Baldes do të thotë se Flick do të jetë pa dy zgjedhjet e tij të para në krah pasi edhe Jules Kounde është i lënduar.
Eric Garcia e mbuloi krahun e djathtë për Kounden në ndeshjen e parë dhe pritet të luajë aty edhe në Milan.

Gerard Martin ka mbuluar mungesën e Baldes, por Flick nuk dëshiron ta sforcojë atë andaj mund të bëjë një ndryshim tronditës.
Inigo Martinez lëvizi në krahun e majtë në pjesën e dytë ndaj Interit muajin e kaluar, teksa Ronald Araujo ishte partner i Pau Cubarsit në qendër.
Sipas një raportimi nga Marca, Flick mund t’i kërkojë veteranit bask që të luajë aty sërish në ndeshjen kthyese, për ta ruajtur Martin për ‘El Clasico’.