Dyshohen se për 15 sekonda ndërhyrje kompjuterike tërhoqën nga banka 186 mijë euro, ndalohen 15 persona

Prokuroria e Gjilanit ka ndaluar 15 persona nën dyshimin për mashtrim kompjuterik, lëshim të çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe për keqpërdorim të kartelave të bankës.

Sipas njoftimit të kësaj prokurorie, B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M., po dyshohet se për 15 sekonda përmes ndërhyrjeve në sistem kompjuterik kanë shkaktuar dëm material prej 186 mijë euro.

Shuma e përfituar kundërligjshëm, thuhet se është bërë përmes sinkronizimit nëpërmjet transaksioneve të e-Banking dhe ATM-së për tërheqje të shumave të ndryshme të parave në Raiffeisen Bank.

Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se të lartcekurit dyshohen se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe në marrëveshje paraprake në mes vete kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar.

“Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej 186.000 mijë euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit të datës 02.06.2025.

Prokuroria ka njoftuar se do të paraqes kërkesë për paraburgim për 15 të dyshuarit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën për Media në bankën të cilën prokuroria e përmend, Raiffeisen Bank, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.

Shpërndaje me miqtë