“Drejt Malit” – Një udhëtim përmes natyrës, historisë dhe sportit në Kaçanik, Han të Elezit, dhe Ferizaj🥾🌿

Java e ecjes në natyrë vazhdoi me energji dhe përkushtim në tri komuna të Kosovës, ku nxënësit jo vetëm që shijuan shtigjet malore, por u angazhuan edhe në aktivitete sportive dhe edukative me theks të veçantë në historinë dhe trashëgiminë kulturore.

Kaçanik
Përgjatë një shtegu 8 km, nga qyteti deri në zonën “Uji i Bardhë”, nxënësit ndoqën gjurmët e UÇK-së duke reflektuar mbi rëndësinë historike të kësaj zone. Ata zhvilluan ecjen në natyrën e bukur të Sharrit dhe morën pjesë në aktivitete të karakterit sportiv dhe edukativ, si gara rekreative, aktivitete grupore dhe ndalesa informative mbi natyrën dhe trashëgiminë lokale.

Han i Elezit
Aktiviteti nisi me një ecje edukative përmes qytetit, duke vizituar pllakat përkujtimore të dëshmorëve të kombit, parkun “Isa Berisha”, stadiumin “Suad Brava” dhe vendin simbolik të eksodit “Bllaca ‘99”. Nxënësit patën mundësinë të dëgjojnë historitë e këtyre vendeve përmes një guide të organizuar nga Shoqata Alpine e Hanit të Elezit me udhërrëfyesin z. Bedri Bushi, i cili dha kontekst historik dhe natyror gjatë gjithë shtegut. Në fund të ecjes, u organizuan edhe lojëra sportive dhe aktivitete shoqëruese në natyrë.

Ferizaj
Rreth 70 nxënës, kampionë të garave komunale në sportet shkollore (basketboll, futsall, pingpong, hendboll, volejboll dhe shah), u shpërblyen me një hiking 11 km në malet e Jezercit. Ecja kaloi nëpër pikën ikonike “Ura Tibetiane” dhe u përmbyll në kalanë e lashtë të Jezercit, ku historianët dhe udhëheqësit lokalë ndanë rrëfime për pasuritë kulturore të zonës. Aktiviteti u pasurua me gara sportive dhe ushtrime të lehta që forcuan ndjenjën e ekipit dhe vetëbesimin e nxënësve.

📌 Programi “Drejt Malit” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet nga Federata e Sportit Shkollor e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me komunat dhe shoqatat komunale të sportit shkollor.

Shpërndaje me miqtë